Pikat e Interesit

IV – Ujëvara e Kapajt

Mospërputhja këndore, burimet termale të Povlës, Teqeja e Baba Selmanit dhe shtegu drejt Ujëvarës së Kapajt, përgjatë Itinerarit IV.

1

Mospërputhja këndore

Tipologjia
Monument natyre (kategoria e III)
Vendndodhja
Rreth 14 km, në afërsi të rrugës kryesore Ballsh–Fratar
Koordinatat
40.547558, 19.783519

Ky gjeomonument shtrihet për rreth 100 m nën kodrinën ku ndodhet fshati Greshicë dhe arrin një lartësi prej 14–15 m në pjesën e tij të dukshme. Mendohet se formimi i tij i përket epokës së Oligocenit, rreth 34–23 milionë vjet më parë.

I veçantë për strukturën e tij fizike, monumenti përbëhet nga rrasa të mëdha guri me forma të çrregullta. Pamja e këtyre formacioneve shkëmbore ngjall kureshtjen e vizitorëve dhe ofron mundësi tërheqëse për vëzhgim dhe fotografi. Kjo pasuri natyrore po tërheq gjithnjë e më shumë interesin e turistëve vendas dhe të huaj, duke u bërë një destinacion i veçantë për njohjen e trashëgimisë gjeologjike të Mallakastrës.

Monumenti ndodhet vetëm pak metra larg rrugës së vjetër nacionale Ballsh–Tepelenë. Rikonstruksioni i plotë i aksit Kthesa e Patosit–Ballsh–Fratar ka lehtësuar aksesin në këtë destinacion, duke e bërë më të përshtatshëm për vizitorët dhe turistët e interesuar.

1 / 2

Lexo për këtë vend →
2

Burimet termale të Povlës

Tipologjia
Monument natyre (kategoria e III)
Vendndodhja
Rreth 21 km, në afërsi të rrugës kryesore Ballsh–Fratar, 1 km pasi hyjmë në rrugën për fshatin Kapaj
Koordinatat
40.536296, 19.804365

Gjeomonumenti "Burimet e Povlës", i njohur nga banorët vendas edhe si "Ujërat termale të Povlës", ndodhet në kufirin midis fshatrave Povël dhe Kapaj, rreth 1 km nga rruga nacionale Ballsh–Tepelenë.

Sipërfaqja e eksploruar deri më tani është afërsisht 60 m². Burimet kanë prurje prej 10–15 litrash në sekondë dhe uji del nga thellësia e tokës me temperaturë 14–16°C. Destinacioni është lehtësisht i aksesueshëm falë infrastrukturës së mirë rrugore.

Burimet përbëjnë një pikë me interes për njohjen e trashëgimisë natyrore të Mallakastrës. Mirëmbajtja dhe përkujdesja e mëtejshme do të ndihmonin në ruajtjen e këtij mjedisi dhe përmirësimin e përvojës së vizitorëve. Zona ofron mundësi për zhvillimin e turizmit natyror dhe tematik, ndërsa përdorimi i mundshëm për qëllime kurative kërkon vlerësime të specializuara të vetive të ujit.

1 / 2

Lexo për këtë vend →
3

Teqeja e Baba Selmanit

Tipologjia
Objekt kulti
Vendndodhja
Në qendër të fshatit Kapaj
Koordinatat
40.543616, 19.820153

Në qendër të fshatit Kapaj, Teqeja e Baba Selmanit është një ndalesë kulturore dhe shpirtërore përgjatë itinerarit drejt Ujëvarës së Kapajt. E vizituar nga turistë vendas dhe të huaj, ajo ofron mundësinë për t'u njohur me traditën bektashiane dhe trashëgiminë fetare të zonës.

Mallakastra karakterizohet nga një larmi besimesh fetare, ndër të cilat tradita bektashiane zë një vend të veçantë. Teqetë dhe tyrbet e pranishme në shumë fshatra dëshmojnë rëndësinë e kësaj tradite në jetën shpirtërore dhe kulturore të komuniteteve lokale.

Vizita në Teqenë e Baba Selmanit i njeh vizitorët me arkitekturën tradicionale, historinë e objektit dhe rolin e tij në komunitet, duke pasuruar përvojën e tyre përgjatë itinerarit.

1 / 2

Lexo për këtë vend →
4

Drejt Ujëvarës së Kapajt

Tipologjia
Monument natyre
Vendndodhja
Nga qendra e fshatit Kapaj
Koordinatat
40.549669, 19.813738

Pas vizitës në Teqenë e Baba Selmanit, itinerari vijon drejt pjesës veriore të fshatit Kapaj dhe përfundon te Ujëvara e Kapajt. Një pjesë e rrugës është e aksesueshme me makinë. Më pas, ecja në këmbë përshkon afërsisht 4,5 km dhe zgjat rreth dy orë, në varësi të ritmit dhe ndalesave. Shtegu është kryesisht në zbritje, me segmente të hapura dhe pjesë të mbuluara nga bimësia. Ai vijon përgjatë një përroi shkëmbor midis fshatrave Kapaj dhe Greshicë, duke zbuluar formacione shkëmbore, pellgje dhe peizazhe mbresëlënëse. Pjesë të këtij mjedisi njihen nga banorët vendas si "Pellgu i Zi" dhe "Pasqyrat", ndërsa ujëvara përbën pikën kulmore të itinerarit. Shtegu ka vështirësi mesatare dhe përfshin kalime në terren shkëmbor dhe në ujë. Disa segmente kërkojnë kujdes të veçantë dhe ndihmë nga bashkudhëtarët. Nevojiten këpucë me kapje të mirë, veshje dhe pajisje të përshtatshme për ecje në natyrë dhe në ujë.

1 / 13

Lexo për këtë vend →