Pikat e Interesit
III – Kalaja e Cfirit
Lisat e Kalenjës, kalaja e Cfirit në majë të kodrës dhe bazilika paleokristiane e Ballshit, përgjatë Itinerarit III.
Tri pika interesi përgjatë Itinerarit III, nga qyteti i Ballshit deri te kalaja e Cfirit në majë të kodrës: një korije me lisa shekullorë, një vendbanim i fortifikuar në majë të kodrës dhe një nga sitet paleokristiane më të rëndësishme të Mallakastrës.
Lisat e Kalenjës
- Tipologjia
- Monument natyre (kategoria e III)
- Vendndodhja
- Rreth 7 km, në afërsi të rrugës kryesore Ballsh–Aranitas, në mjediset e shkollës 9-vjeçare të fshatit Panahor
- Koordinatat
- 40.604730, 19.774503
Lisat e Kalenjës përbëjnë një grup prej 21 lisash, rreth 150-vjeçarë, që ndodhen në fshatin Panahor, përgjatë rrugës Ballsh–Aranitas. Të vendosur në një lartësi prej rreth 200 m mbi nivelin e detit, ata kanë një diametër mesatar të trungut prej afërsisht 93 cm dhe një lartësi prej 13–16 m.
Këta lisa paraqesin interes të veçantë për turizmin natyror dhe lokal, si dhe për vlerat e tyre kulturore. Mjedisi përreth ofron mundësi për ekskursione dhe aktivitete artistike, historike e sportive. Prania e shkollës 9-vjeçare të Panahorit në afërsi krijon gjithashtu mundësi për veprimtari edukative që i njohin nxënësit me natyrën dhe rëndësinë e ruajtjes së saj.
Infrastruktura e mirë rrugore deri pranë këtyre monumenteve të natyrës e bën destinacionin lehtësisht të aksesueshëm për vizitorët.
1 / 4
Kalaja e Cfirit
- Tipologjia
- Monument Kulture i kategorisë së I, zonë e mbrojtur
- Vendndodhja
- Shtrihet në syprinën e kodrës (Malit të Cfirit) në fshatin Cfir, rreth 17 km nga qyteti i Ballshit
- Koordinatat
- 40.635088, 19.810151
E ndërtuar në majën e një kodre në fshatin Cfir, Kalaja e Cfirit shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 0,5 ha, mbi një terren të rrafshët me formë eliptike. Përveç funksionit mbrojtës, ajo shërbente edhe si një qendër e vogël qytetare për banorët e zonës. Brenda saj ruhen fragmente të mureve mbrojtëse dhe gjurmë banesash, të cilat dëshmojnë historinë e këtij vendbanimi të fortifikuar.
Aksesi nga Ballshi bëhet përgjatë aksit Ballsh–Aranitas–Metoh. Pas rreth 13 km, merret kthesa drejt fshatit Cfir, ku një segment prej afërsisht 4 km është i shtruar me çakull. Pjesa e asfaltuar e itinerarit mund të përshkohet me mikrobusë dhe automjete më të vogla. Nga qendra e fshatit drejt kalasë, rruga është e pashtruar dhe mund të përshkohet në këmbë ose me mjete të përshtatshme për terren.
Peizazhet përgjatë këtij aksi e bëjnë udhëtimin tërheqës për adhuruesit e natyrës, biçikletave malore, motoçikletave dhe mjeteve jashtë rruge. Megjithëse ende pak e njohur, Kalaja e Cfirit ka potencial të rëndësishëm për turizmin kulturor dhe historik, duke u ofruar vizitorëve dhe studiuesve mundësi për të eksploruar trashëgiminë e Mallakastrës.
Fshati ofron gjithashtu pamje mbresëlënëse nga vende të njohura si "Sheshi i Tares", "Udha e Madhe", "Qafa e Shkabës" dhe "Lëm Plaku", vendi ku mblidheshin pleqtë e fshatit. Burimet ujore dhe çezmat thuajse në çdo lagje, pyjet e reja me lisa, shkozë e xana, si dhe afërsia me fshatrat e zonave përreth, e pasurojnë përvojën e vizitës.
Këto pasuri krijojnë mundësi për ecje nëpër pyje, shëtitje me biçikleta dhe eksplorime të fshatit e rrethinave të tij. Iniciativat private, përfshirë strukturën pritëse "Guest House Velaj", po plotësojnë ofertën turistike, duke e bërë Cfirin një destinacion me perspektivë për turizmin natyror, kulturor dhe lokal.
1 / 5
Rrënojat e Bazilikës Paleokristiane dhe Kishës së Shën Marisë
- Tipologjia
- Zonë e mbrojtur, Monument Kulture i kategorisë së I
- Vendndodhja
- Ballsh, Mallakastër
- Koordinatat
- 40.601027, 19.737340
Rrënojat e Kishës Paleokristiane të Shën Marisë (Bazilika) ndodhen në hyrje të qytetit të Ballshit, rreth 6 km në veri të qytetit antik të Bylisit. Ajo është ndërtuar gjatë mesjetës së mesme, pas braktisjes së qytetit të Bylisit, me materiale të nxjerra nga kishat e tij, në një kohë kur kjo qendër peshkopale u shkatërrua. Kisha e Ballshit është mjaft e njohur sepse aty u krye akti i konvertimit dhe i pagëzimit të carit të bullgarëve, Boris (866), dhe të popullit të tij.
E ndërtuar në periudhën e Justinianit, në shekullin VI pas Krishtit, në pjesën lindore të qytetit të sotëm të Ballshit, Monumenti Kulturor ka pësuar disa herë ndryshime për arsye dhe faktorë të ndryshëm. Për nga rëndësia, ky monument kulturor paraqitet të jetë i treti në listën e monumenteve më të vizituara në zonën tonë (pas Qytetit Ilir të Bylisit dhe Nikaias). Ai ka në përbërjen e tij elemente tepër të rëndësishme të cilët hedhin dritë mbi disa periudha në historinë dhe kulturën e Mallakastrës, dhe përbën një interes tepër të lartë për disa fusha dhe sektorë studimi. Gjithashtu, në rrënojat e kësaj Bazilike janë gjetur kolona, mbishkrime, skulptura dekorative etj., por edhe mbi sipërfaqe të sitit ka objekte të shumta historike.
1 / 2